Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, javën që po lëmë pas u nis për në Hagë pasi Gjykata Speciale tha se ka një aktakuzë të konfirmuar kundër tij. Sidoqoftë, nga partia që ai bën pjesë po thonë se vazhdon të mbajë ende pozitën që e kishte më parë
Dhomat e Specializuara të Hagës, mbrëmjen e së mërkurës e njoftuan shefin e Grupit Parlamentar të VV’së, Rexhep Selimin, se i është konfirmuar aktakuza kundër tij.
Vetëm një ditë më pas, ai u nis për në Hagë, ku edhe pritet që seanca ndaj tij të nis gjatë kësaj jave.
Sidoqoftë, anëtarja e kryesisë së VV’së, Albulena Haxhiu, ka thënë për Express se Selimi ende mban pozitën që e ka pasur deri tani si shef i Grupit Parlamentar, ani pse nuk dihet se sa pritet të zgjasë gjykimi ndaj tij.
“Shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! është Rexhep Selimi.”, ka thënë ajo
Ndryshe prej Selimit, ish-komandantët e UÇK’së, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kreu i PDK’së, Kadri Veseli, dhanë dorëheqje nga pozitat që mbanin, pasi u konfirmua edhe aktakuza kundër tyre.
Thaçi dhe Veseli gjatë ditës së enjte konfirmuan se janë njoftuar nga Specialja për aktakuzat, dhe pas kësaj, dhanë dorëheqje nga postet e tyre shtetërore e partiake
Të njëjtit, u nisën bashkë me ish-kryeparlamentarin, Jakup Kransiqi për në Hagë, ku gjatë kësaj jave pritet edhe të nisin seancat e Gjykatës.
Vlen të theksohet se aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK’së ka nxitur reagime të shumëta në Kosovë, teksti i saj u cilësua si skandaloz dhe i bazuar në Prokurorinë e Serbisë.
Madje, nga kjo e fundit, konfirmuan se qindra dëshmitarë nga Serbia u dërguan për të dëshmuar kundër luftëtarëve të UÇK’së