Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka akuzuar kryetarin e Komunës, Përparim Rama, për mungesë të plotësimit të dokumenteve në çështjen e dhënies së pronës në Bërnicë për shfrytëzim festivalit “Sunny Hill”.
Asamblistët e VV-së, Gëzim Sveçla dhe Nora Kelmendi, në një konferencë për media të enjten, kanë akuzuar Ramën për zhvendosjen e festivalit në Tiranë.
Të martën, organizatorët njoftuan publikisht se edicioni i sivjetmë zhvendoset në Tiranë. Ata akuzuan Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për vonesë në përgjigje për dhënien në shfrytëzim të pronës. Ndërkaq kjo ministri ka thënë se Komuna s’kishte dorëzuar dokumentacionin e plotë. Nga Komuna kanë akuzuar Qeverinë.
Asamblistët e VV-së kanë thënë se në mbledhjen e Kuvendit Komunal, nga kryetari Rama është prezantuar një kërkesë e një viti më herët dhe se Alban Kastrati, si nënshkrues në emrin e “Sunny Hillit”, s’ka figuruar zyrtarisht si përfaqësues i kompanisë.
Të dy janë shprehur se Vetëvendosje s’është kundër festivalit, por ka pasur vërejtje vetëm në procedura.
Sveçla ka thënë se problem ka qenë procedura, çështja e kohëzgjatjes për 99 vjet dhe pamundësia e qasjes për festivalet tjera.
“E kemi ditur se gjendja me menaxhim në Komunën e Prishtinës s’është e mirë, por paraqitja e sotme e kryetarit Përparim Rama e dëshmoi se menaxhimi është në gjendje katastrofale. Fajtorët gjenden këtu. Moskompletimi i dokumentacionit dhe tendenca për ta hedhur fajin diku tjetër e paraqet më së miri këtë dështim”, ka thënë Sveçla.
Ai ka thënë po ashtu se festivali do të mund të mos zhvendosej në Tiranë, por të mbahej edhe këtë vit në Prishtinë në një hapësirë tjetër vetëm me kërkesë për shfrytëzim të përkohshëm. /koha