Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se për Kosovën nuk po bisedohet me askënd dhe se nuk ka kurrfarë zgjidhjeje e as ideje për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Vuçiqi tha po ashtu se ai punon në ruajtjen e paqes, mirëpo shtoi se kurdo që të jetë e nevojshme, do ta shfaqë forcën.
“Mua nuk po më ngutet për zgjedhje. Në demokraci, zgjedhjet mbahen çdo 4 vjet, por nuk ka demokraci aty ku zgjedhjet mbahen përtej atyre katër vjetëve. Por tek ne është kështu sepse ata (opozita) kanë kërkuar kështu, e më pas patëm edhe gjendjen e jashtëzakonshme nga koronavirusi. Për sa i përket Kosovës, ata dalin para opinionit në Serbi dhe flasin se si Vuçiqit pikërisht këtë vit do t’i duhet ta njohë Kosovën. As bisedojmë me askënd, as ekziston kurrfarë ideje, e as kurrfarë zgjidhjeje. Gjithmonë do të punoj për ruajtjen e paqes, por kur të jetë e nevojshme të shfaq forcën dhe qëndrueshmërinë politike serbe, kam qenë unë ai që e ka bërë këtë edhe ndaj çështjes së Kosovës e Metohisë e edhe për mbijetesën e popullit tonë”, tha Vuçiqi para mediave në Serbi.
Ai shtoi se kundërshtarët e tij që nga viti 2012, çdo vit thonë se këtë vit Vuçiqi do ta njohë Kosovën, dhe shtoi se është mësuar me këto kritika.