Personi që vrau dhjetë nxënës në Austri paraditen e djeshme i dërgoi nënës së tij një video lamtumirëse vetëm pak çaste para se të kryente masakrën.
21-vjeçari kreu masakrën të martën në mëngjes përpara se t’i drejtonte armën vetes. Incidenti është një nga aktet më të këqija të dhunës në historinë moderne të vendit, raporton media britanike “Standard”.
I dyshuari kishte qenë nxënës në po atë shkollë, por nuk ishte diplomuar, tha ministri i brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, transmeton Klankosova.tv.
“Çdo gjë tjetër është ende spekulim”, shtoi ai. “Ishte një ish-nxënës, por nuk e kishte mbaruar shkollën”.
Dëshmitarët thanë se dëgjuan deri në 20 të shtëna me armë zjarri, ndërsa një mësuese dhe nxënësit e saj thuhet se u barrikaduan në një klasë ndërsa tmerri zhvillohej.
Autoritetet tani kanë gjetur një video të regjistruar nga sulmuesi të cilën ia dërgoi nënës së tij para sulmit.
E alarmuar nga mesazhi, nëna telefonoi policinë, por ishte tepër vonë për të parandaluar tragjedinë, raportoi programi i lajmeve “Heute”.
Hetuesit shtuan se ishte gjetur edhe një “letër lamtumirëse”.
“Standard” shkruan edhe për rastin e Lea Bajramit, viktima 15-vjeçare me prejardhje nga Kosova që u vra në shkollën “BORG Dreierschutzengasse”, rasti i së cilës thotë se është i pari prej viktimave që iu publikua fotoja.
Në një homazh në rrjetet sociale, tezja e saj tha: “Sot, mbesa ime Lea humbi jetën tragjikisht në sulmin në Graz. Lutemi për shpirtin e saj dhe shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë ata që ndajnë dhimbjen tonë gjatë këtyre kohërave të vështira”.
Të paktën shtatë nga të vrarët në sulm ishin nxënës, tha Kryetarja e Bashkisë së Grazit Elke Kahr, duke shpjeguar se dhjetëra të tjerë kishin mbetur të plagosur.
Drejtori i policisë së shtetit Gerald Ortner shtoi se policia nuk kishte asnjë informacion paraprak në lidhje me personin e armatosur. Ai zotëronte ligjërisht dy armë, u tha ai gazetarëve.
Gazeta austriake “Kronen Zeitung” raportoi se i dyshuari u gjet i vdekur në tualetet e shkollës pas sulmit.
Gazeta “Salzburger Nachrichten” citoi raportime të pakonfirmuara duke thënë se i dyshuari ishte i armatosur me një pistoletë dhe një pushkë.
Kancelari austriak Christian Stocker i quajti të shtënat masive një “tragjedi kombëtare”.
Një vigjilje u mbajt në sheshin kryesor të Grazit të martën në mbrëmje për të nderuar viktimat me qirinj të ndezur për ata që humbën jetën dhe familjet e tyre. Qirinj u lanë gjithashtu pranë shkollës