Vetëm një rast me virusin e Nilit është konfirmuar në Kosovë. Infektologët thonë se nuk ka vend për shqetësim, por këshillojnë qytetarët që të kenë kujdes.
Pas raportimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik se është konfirmuar rasti i parë me virusin e Nilit, nuk ka pasur raste të tjera në Kosovë.
“Në aspektin epidemiologjik, kemi një situatë të qetë sa i përket virusit të Nilit Perëndimor. Ne kemi një pacient që ka pasur indikacion të hospitalizohet në Klinikën Infektive. Nuk kemi pacientë të tjerë të shtruar në klinikë me këtë virus”, tha për RTK-në Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive në QKUK.
Vishaj shtoi se nuk ka vend për shqetësim. E infektologu Shemsedin Dreshaj tha se virusi i Nilit bartet nga pickimi i mushkonjave, duke u paraqitur në forma të ndryshme klinike.