Donald Trump ka përdorur një intervistë me “Fox News” për të krahasuar problemet e tij ligjore me persekutimin e figurës së opozitës ruse Alexei Navalny, i cili vdiq në burg javën e kaluar.
Në intervistën të martën, ish-presidenti amerikan ka thënë se Navalny ishte “njeri shumë i guximshëm, i cili ndoshta nuk duhej të kthehej në Rusi”, por nuk e fajësoi askënd për vdekjen e tij.
Presidenti Joe Biden dhe liderë të tjerë perëndimorë kanë fajësuar presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e Navalnyt, ashtu si edhe Nikki Haley, e cila është shumë pas Trumpit si rivalja e vetme e mbetur për nominimin presidencial republikan.
Trumpi kundërshtoi gjobën prej 355 milionë dollarësh për mashtrim që iu shqiptua në një gjyq në New York, duke thënë se “është një formë e Navalnyt”.
“Është një formë e komunizmit apo fashizmit”, shtoi ai.
Pavarësisht kërkesave të moderatores Laura Ingraham, Trump nuk e përmendi Putinin kur u pyet për Navalnyn.