Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se po has më shumë vështirësi në negociatat me Ukrainën sesa me Rusinë për të arritur një paqe mes dy vendeve. Ai theksoi se SHBA-ja po ecën “shumë mirë” me Rusinë dhe se ndoshta do të jetë më e lehtë të bashkëpunojë me Moskën sesa me Kievin.
Trump ka pezulluar ndihmën ushtarake dhe ndarjen e inteligjencës me Ukrainën, duke ngjallur shqetësim mes aleatëve të NATO-s. Vendimi i tij erdhi pasi ai kritikoi publikisht presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke e akuzuar atë për “mosrespekt” ndaj Shteteve të Bashkuara. Kjo lëvizje u pasua nga një sulm i madh me raketa dhe drone nga Rusia kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Gjithashtu, administrata amerikane ka pezulluar përkohësisht aksesin e Ukrainës në disa imazhe satelitore të ofruara nga kompania Maxar. Këto imazhe janë të rëndësishme për mbledhjen e inteligjencës dhe planifikimin strategjik të ushtrisë ukrainase.