Është e vështirë të shpëtosh nga tendencat e panumërta të verës që ndryshojnë çdo vit.
Vera 2022 ka sjellë trendë nga më të ndryshmit, të cilët kanë rritur listën tonë të dëshirave për të provuar sa më shumë tendenca. Po i afrohemi fundit të sezonit dhe ekspertët e modës propozojnë që t’i provoni disa trendë që nuk i keni provuar akoma.
Roza e ndezur
Për momentin, në botën e modës po mbizotëron rregulli “sa më e ndritshme, aq më mirë”, dhe në këtë verë roza e ndezur ka dominuar nga të gjitha ngjyrat e tjera. Popullariteti i kësaj nuance u rrit kur shtëpia e modës “Valentino” e bëri atë ngjyrën e vetme të koleksionit të sezonit të kaluar dhe nga atëherë, pothuajse çdo personazh i famshëm e ka veshur atë.
Rrobat rrjetë
Gjatë stinës së verës mundohemi që të qëndrojmë të freskët, duke veshur rroba sa më pak shtresore. Për këtë arsye, një trend mjaft i preferuar i kësaj vere janë rrobat rrjetë. Rrjeta i shton teksturë dhe dimension çdo dukjeje. Gjithashtu mund të vishet për çdo rast dhe është e lehtë për t’u kombinuar.
Çanta të endura
Çantat e endura kanë qenë gjithandej në këtë verë. Madje shtëpi të modës si, “Loewe”, “Balenciaga” dhe “Prada”, kanë krijuar versione të qëndrueshme të këtyre çantave, të cilat po përdoren si çanta dore.
Modelet dhe ngjyrat e ndryshme i dhurojnë veshjes suaj një pamje tipike verore.
Fustanet e lëshuara
Fustanet që ju bëjnë të ndiheni shumë rehat, bukur dhe freskët gjatë ditëve të ngrohta të verës, janë fustanet e lëshuara. Përveçse krijojnë dukje me stil, ato mund të kombinohen lehtë me gjëra të ndryshme duke transformuar tërësisht pamjen tuaj. Gjithashtu, ato mund të vishen kudo.
Zinxhirët e trupit
Zinxhirët e trupit mund të ndryshojnë shumë lehtë pamjen tuaj. Ata duken shkëlqyeshëm me rroba banje, bluza të shkurtra ose të vendosura mbi xhinse. Këtë verë zinxhirët e trupit kanë qenë shumë në trend dhe kanë zbukuruar çdo veshje verore.
Kanë mbetur edhe disa javë para se vera të përfundojë. Kështu që mos hezitoni t’i provoni sa më parë këta trendë verorë. /koha