Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bën të ditur se sot në ora 11:00, do të fillojë qarkullimi i autobusit me logon “Race for the Cure Prishtina 2024”.
Sipas tij, fushata e vitit të kaluar ka pasur një ndikim të madh në rritjen e numrit të mamografive të realizuara në kryeqytet. Në gusht të vitit 2023 janë realizuar 80 mamografi, ndërsa në tetor numri ka arritur në 887, një rritje prej 1000%.
“Fushata “Race for the Cure Prishtina 2024″ do të përfshijë një sërë aktivitetesh, ndër të cilat më 6 tetor në Prishtinë do të organizohet ecja dhe vrapimi në mbështetje të grave që kanë kaluar përmes kësaj sëmundjeje”, ka shkruar Rama. Ai u bëri thirrje të gjithë grave e burrave që të bëjnë mamografinë.
“Të nderuara nëna, motra, gra, shoqe e shokë (sepse edhe meshkujt preken nga ky kancer), bëjeni mamografinë, sepse, zbulimi i hershëm SHPËTON JETË!”, ka apeluar Rama.