Federata e Futbollit e Kosovës ditë më parë vendosi një pako të ndihmës emergjente me mjete vetanake, përmes së cilës do të ndihmohen klubet, futbollistët, delegatët dhe gjyqtarët.
Zërri ka marrë vesh se tashmë ka nisur ekzekutimi i pagave (ndihmesës) ndaj futbollistëve për ta kaluar sa më lehtë këtë kohë krizë që ka shkaktuar pandemia koronavirus.
Ditë më parë edhe ministria ndau një shumë për futbollin, por sipas trajnerit Ismet Munishi këto shumë janë simbolike dhe nuk duhet të merren si diçka që e ndihmon kalimin e krizës.
“Shuma e ndarë nga Ministria është shumë simbolike, edhe kjo e FFK-së është diçka simbolike. Unë shpresoj të vijnë ndihma për klube nga UEFA e FIFA pasi UEFA ka fonde të posaçme për kësi lloj krize. Ne po presim çka do të vendoset në nivelin global. Javën tjetër është një mbledhje e UEFA-s dhe vendoset për fatin e kampionatit dhe fatin financiar. Jemi në një situatë që duhet shpëtuar futbollin dhe sigurisht që edhe ne duhet bërë kompromise”, ka thënë Munishi ne “Drive Time” në Radio Prishtina, duke folur më pas edhe për përgjysmimin e pagave.
“Tek ne nuk kemi shumë paga të mëdha sa tu hedhet krejt përgjegjësia futbollistëve. Por po them pasi të kalojë kjo situatë gjithçka do të rregullohet. Për momentin klubet duhet të ndihmohen më shumë”, ka vlerësuar Munishi.