Auditori Gjeneral ka gjetur parregullsi të pagesat e pensioneve pas vdekjes së përfituesve si dhe tek pagesave e pensioneve për personat e punësuar, të cilat i ka bërë Ministria së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në vitin e kaluar ka bërë mijëra euro pagesa të pensioneve për personat që nuk ishin gjallë.
Kjo ka ardhur si rezultat pasi ministria nuk ka mundur të pastrojë më kohë listat me personat e vdekur, shkruan lajmi.net.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin për Pasqyrat Financiare të vitit 2019 të MPMS-së.
Sipas auditorit, falë bashkëpunimit me Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC), Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe me Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), ministria në vazhdimësi po bënë përpjekje për t‘i reduktuar pagesat e parregullta të cilat ishin identifikuar nga auditimet e viteve paraprake tek disa nga skemat pensionale dhe sociale. Megjithatë, mbetet sfidë edhe më tej menaxhimi i këtyre skemave, me theks të veçantë tek përfituesit e dyfishtë si dhe pagesat e pensioneve për personat e punësuar.
Bazuar në krahasimin e të dhënave të Ministrisë për skemat pensionale dhe ndihmat sociale me të dhënat e ATK-së dhe ARC-së, auditori ka gjetur se gjatë përfitimit të pensioneve apo ndihmave sociale nga persona të cilët punojnë apo realizojnë të ardhura personale, vlera e këtyre pagesave për vitin 2019 ishte 124,632 euro. “Kjo kishte ndodhur për shkak të deklarimeve të mëvonshme që bëhen në ATK dhe që reflektohen në muajt përkatës, për të cilat nuk kishte informata në kohën kur ishin bërë krahasimet mujore nga ana e ministrisë”.
Po sipas raportit të auditorit, pagesa e pensioneve pas vdekjes së përfituesve kanë qenë në vlerë 142,345 euro.
“Kjo kishte ndodhur për arsye se regjistrimi i vdekjeve në ARC ishte bërë me vonesë dhe për këto raste Ministria nuk ishte në dijeni”, thotë auditori.
Auditori ka shkruar se, mbajta e personave të vdekur në listat e përfituesve të pensioneve si dhe përfitimi i pensioneve nga personat e punësuar dëmtojnë buxhetin e ministrisë.
“Ministri duhet të siguroj forcimin e kontrolleve të brendshme përmes komunikimit në kohë reale në mes të regjistrave me regjistrin civil, krahasime sistematike të listave të përfituesve me informatat e marra nga ATK si dhe të krijoj një komunikim më efektiv ndërmjet data bazave të skemave pensionale”, ka rekomanduar ZKA.
Nga ana tjetër, bazuar në krahasimin e të dhënave të Ministrisë për skemat pensionale dhe ndihmat sociale, auditori ka konstatuar se Ministria kishte kryer pagesa në vlerë prej 991,852 euro pa bazë të qartë ligjore. Siç shihet nga gjetjet e auditorit, rastet më të shpeshta të përfitimit të më shumë se një pensioni nga skemat pensionale, janë përfituesit që i takojnë kategorisë së TMK-së dhe FSK-së, të cilët përfitojnë edhe pensione tjera.
Sipas auditorit, për çështjen më lartë, ministria kishte kryer pagesa të tilla edhe në vitet paraprake deri në muajin shtator 2018 kur edhe ishin ndërprerë ato, për tu kthyer përsëri me vendim të Qeverisë NR.12/82 të datës 28.12.2018. Me këtë vendim ishte aprovuar vazhdimi i pagesave të pensioneve të dyfishta për FSK-në dhe TMK-në deri në interpretimin përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale nga institucioni i ngarkuar me këtë kompetencë.
Kjo praktikë e këtyre pagesave ka vazhduar edhe në vitin 2019, pasi që deri në përfundimin e auditimit për vitin 2019, ministria nuk kishte arritur të siguroj interpretim të bazës ligjore për skemat pensionale në fjalë apo të përditësojë kornizën ligjore aktuale, siç edhe parashihet me Strategjinë Sektoriale 2018-2022 të aprovuar nga Qeveria.
Auditori ka gjetur edhe disa parregullsi tjera në këtë ministri, e cila në vitin 2019 ishte udhëhequr nga ministri, Skender Reçica.