Një ekspozitë në Londër, analizon një aspekt pak të njohur të një prej artistëve më të mëdhenj të shekullit XX, Pablo Picasso. Pjesë të shkrimit të kritikes së artit Daisy Dunn, Telegrafi sjell më poshtë.
Picasso do të kishte pak kohë për enterierët e sotëm të saktë dhe minimalistë. Ai rrethohej nga rrëmuja, duke e ditur se edhe sendet e dëmtuara e të zakonshme që njerëzit i hidhnin, do të mund të kishin interes artistik. Grumbulloi gjithçka, që nga gazetat e vjetra, mbështjellëse letrash dhe zarfe të përdorura, e deri tek kutitë e duhanit, biletat e autobusëve dhe pecetat e letrës. Kur vdiq më 1973, në moshën 91-vjeçare, kishte grumbulluar mijëra copa, një pjesë e të cilave janë shfaqur në Akademinë Mbretërore të Londrës si pjesë e një ekspozite kushtuar pasionit të tij për letrën. Treqind vepra arti dhe gjësende nga koleksioni i tij që kapin në shumë se 80 vjet, flasin sa për rrangallat aq edhe për vizionin e tij.
Studiot që Picasso i vizatoi ishin rrallë kaotike. Një nga skicat e tij përgatitore nga viti 1903, për “Jetën” – një pikturë melankolike nga Periudha e tij e Kaltër – paraqet një kanavacë të pozicionuar si duhet në këmbalec. “Studioja e skulptorit” nga viti 1931 është mjaft e rregullt. Por, fotografitë zbulojnë pamje tjetër: Picasso e pëlqente parregullsinë. Studioja e tij në Kanë ishte e mbushur me gjësende – topa letre, kuti dhe kavanoza ngjyrash që mbushnin çdo sipërfaqe, madje edhe karriget.
“Picasso njëherë tha: ‘Je çfarë ruan’”, thotë Ann Dumas, bashkë-kuratore e ekspozitës “Picasso dhe letra”. “Ishte shumë i vetëdijshëm për mbajtjen dhe regjistrimin e gjërave”.