Me ardhjen e verës shfaqen edhe mushkonjat.
Përveçse të bezdisshme, ato janë dhe të rrezikshme pasi mund të transmetojë sëmundje të shumta. Në botë ka rreth 3500 lloje të ndryshme mushkonjash: më të zakonshmet në pellgun e Mesdheut janë mushkonjat e zakonshme (Culex pipiens) që transmetojnë ethet e Nilit dhe mushkonjat tigër (Aedes albopictus) të cilat mund të transmetojnë malarinë, ethet e verdha, Chikungunya, dengue dhe virusin Zika.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mushkonjat shkaktojnë më shumë se 700,000 vdekje në vit në mbarë botën. Bazuar në të dhënat më të fundit nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ne mund të presim më shumë raste dhe më shumë vdekje nga sëmundje të tilla si dengoja, chikungunya dhe ethet e Nilit Perëndimor në Evropë në vitet e ardhshme.
Në vitin 2022, 1,133 raste njerëzore dhe 92 vdekje nga infeksioni i virusit të Nilit u raportuan në Europë: 1,112 të marra në nivel lokal në 11 vende, me Italinë kryesuese, me 723 raste të raportuara në vend.
Çfarë i tërheq mushkonjat?
Aroma e acidit
Vetëm mushkonjat femra kafshojnë sepse kanë nevojë për gjak për t’u riprodhuar dhe jo për t’u ushqyer. Faktorë të ndryshëm i shtyjnë ata të zgjedhin viktimën e tyre dhe secila specie ka preferencat e veta . Mushkonjat zbulojnë dioksidin e karbonit të emetuar nga gjahu i tyre dhe kjo, së bashku me temperaturën e trupit dhe erën e individit është një e dhënë për të zgjedhur viktimën e radhës.
Megjithatë është djersa ajo që e bën mushkonjën të zgjedhë njërën ose tjetrën pre për të thithur gjak. Në fakt, kur djersihemi, lëshojmë substanca kimike si acidi laktik ose oktanoli të cilat i tërheqin këto insekte. Megjithatë, këto komponime ndryshojnë nga personi në person dhe për këtë arsye ka individë që janë më tërheqës se të tjerët (gratë shtatzëna janë më shpesh subjekt i kafshimit të tyre). Sipas një studimi të publikuar në Cell , është aroma acidike e lëkurës ajo që vepron si magnet për mushkonjat. Megjithatë, është gjenetika ajo që ndikon kryesisht në erën e individit dhe për disa njerëz çdo ilaç do të jetë i padobishëm, sipas Corriere Della Sera.
Ngjyra e veshjes
Në disa specie, ngjyra e veshjeve është treguar se ndikon në zgjedhjen e mushkonjave. Duket se mushkonja tigër tërhiqet veçanërisht nga ngjyra e zezë, prandaj duhet të vishni rroba me ngjyra të çelura, ku ndër të tjera ju mbrojnë edhe nga vapa në stinën e nxehtë.
“Mushkonjat tërhiqen gjithashtu nga rrobat e ngushta, “ thotë María José Ruiz, një studiuese në Stacionin Biologjik Doñana (EBD) në Spanjë, për El Pais.
Sapuni
Sapunët ndikojnë në aromën tonë, por njerëz të ndryshëm që përdorin të njëjtin sapun kanë erë të ndryshme. Një studim i publikuar së fundmi në Cell zbuloi se disa individë u bënë më tërheqës për mushkonjat duke u larë me dy lloje sapuni, ndërsa një sapun i tretë largonte insektin e bezdisshëm. Megjithatë, rezultatet nuk mund të përgjithësohen sepse gjithçka varet nga ndërveprimi midis erës së individit dhe produktit të përdorur, si dhe nga lloji i mushkonjave.