Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, është liruar nga akuza për arratisjen nga QKUK-ja në maj të vitit 2014, derisa është dënuar me 12.000 euro për dy arratisje tjera, në gusht dhe shtator të 2015-tës. Këtë vendim, që është marrë të marten nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka bërë të ditur avokati i tij, Artan Qerkinin.
Qerkini ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se për arratisje nga QKUK të pafajshëm janë shpallur edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellë të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena, ndërsa të njëjtit janë dënuar me nga 1 mijë euro gjobë për dy arratisjet e tjera.
Sipas aktakuzës, arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt nga QKUK-ja, për të cilën është liruar, kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.
Në këtë rast përveç arratisjes, në pjesën tjetër të aktakuzës që nuk ka të bëjë me arratisje, por me veprat penale “pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “frikësimi gjatë procedurës penale”, “pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal”, po akuzohen Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.
Për këtë pjesë të aktakuzës, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti në seancën 20 shkurtit kishte veçuar procedurën.