Shtrenjtimi i çmimeve të vilave dhe apartamenteve në bregdetin shqiptar po vijon edhe në vitin 2023. Në apartamentet e reja në zonat rezidenciale në Vlorë dhe Sarandë, sipas agjencive të pasurive të patundshme, çmimet e apartamenteve janë rritur 40% më shumë krahasuar me 2022.
Në bregdetin e Durrësit dhe Qerretit, çmimet e pronave në vijën e parë janë shtrenjtuar 15%. Agjencitë e pasurive të patundshme pohuan se arsyet kryesore të rritjes së çmimeve janë kërkesa e lartë nga të huajt dhe shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit.
Në resortet turistike, që kanë nisur punimet këtë vit, si në Orikum të Vlorës apo Sarandë, çmimet e apartamenteve variojnë nga 2,500 deri në 3,500 euro për metër katror, raporton Monitor.
Rritje të lartë ka edhe për çmimet e vilave. Vilat elitare në bregdet po shiten me çmimin e 1,6 mln eurove, 33% më shumë se vjet.
Shtrenjtohet Durrësi, Golemi dhe Qerreti 15%; Me çmim ekonomik, vetëm ndërtimet e para 15 viteve
Edhe këtë vit, çmimet e apartamenteve në zonat bregdetare të Durrësit kanë vijuar tendencën e rritjes.
Shtrenjtimi më i lartë është për pronat në vijën e parë të ndërtimit, që kanë arritur nivelin maksimal prej 1,500 euro/m² nga 1,300 euro që u shitën vjet (rritja 15%).
Në vitin 2021, maksimumi i çmimit për ndërtimet e vijës së parë p.sh., në zonën e Shkëmbit të Kavajës arrinte deri në 750 euro.
Agjencitë e pasurive të patundshme pohojnë se çmimet në bregdetin e Durrësit kanë arritur pikun dy vitet e fundit dhe nuk parashikohet më rritje.
Ekspertë të tregut shtuan se kërkesa nga të huajt ka rritur çmimin në Durrës. Edhe shumë apartamente sipas konstatimeve të agjencive real state në vitet 2019-2021 u blenë nga agjencitë polake dhe çeke me çmim 500 euro/m² dhe u rishitën te shtetasit e huaj me çmim 750 euro/m².
Në Lungomare, kërkesa e lartë shtrenjton apartamentet deri 60%
Këtë vit, rritje të lartë të çmimeve të apartamenteve ka edhe për ndërtimet e reja në Vlorë.
Në zonën e Lungomares, në vijën e parë të ndërtimit, çmimet maksimale të apartamenteve kanë arritur 2,700-2,800 euro/m² sipas të dhënave të agjencisë imobiliare “Albania Property Group”.