Policia e Kosovës ka arrestuar dy qytetarë të Prishtinës pasi që kishin rrahur të dashurat e tyre.
Gjatë së dielës dy raste të veprës penale “lëndim i lehtë trupor”, janë regjistruar në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti i parë është regjistruar në fshatin Bardhosh të Prishtinës.
Policia ka bërë të ditur se në ora 14:30 në këtë fshat është arrestuar një person pasi që dyshohet se i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht të dashurën e tij me të cilën ishte duke bashkëjetuar me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore, shkruan lajmi.net.
“Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në njoftim.
Edhe një arrestim tjetër ka ndodhur në Prishtinë për të njëjtën vepër penale, por që Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje se në cilën lagje apo fshat ka ndodhur kjo.
Sipas njoftimit, është arrestuar edhe një person tjetër pasi që i njëjti dyshohet se pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht të dashurën me të cilën ishte duke bashkëjetuar, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore.
Edhe ky i dyshuar pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Lajmi/