Krepat janë petë të holla brumi, të pjekura mbi një piastër të nxehtë. Ato mund të shërbehen me mbushje të ndryshme të ëmbla (si Nutella, mjalt ose reçel), apo dhe të kripura (djathë, proshute ose perime). Ato shërbeheshin në datën 2 Shkurt dhe kur hapej në piastër, zakonisht shprehej një dëshirë. Duke lënë mbrapa historinë le të shikojmë recetën e tyre.
Baza e përgatitjes së llojeve të krepave është pothuajse e njëjtë. Ja se çfarë na duhet për të përgatitur krepa të shijshëm tamam si receta origjinale.
Përbërësit:
500 ml qumësht
250 gr miell
50 gr gjalpë
3 kokrra vezë
pak kripë
Përgatitja:
Në një enë qelqi, hedhim miellin dhe pak kripë. I trazojmë dhe shtojmë me ngadalë qumështin duke e trazuar vazhdimisht që mos të krijohen kokrra. Mund të përdorim edhe rrahësin elektrik. Shtojmë edhe vezët e rrahura më parë me një pirun. Vazhdojmë ta rrahim mirë masën.
Shkrijmë gjalpin në banjëmaria ose në mikrovalë dhe e bashkojmë te masa e përgatitur, (duhet të kemi kujdes që gjalpi të mos jetë i nxehtë). Trazojmë mirë të gjithë përbërësit derisa të arrijmë një masë të lëngshme e homogjene.
Ndërkohë nxehim tiganin e krepëve, ( nëse nuk keni mund të përdorni edhe një tigan normal duke e lyer me pak gjalpë rreth e qark, mjafton që të jetë nga ata që nuk ngjisin poshtë). Hedhim mbi tigan, në qendrën e tij,një garuzhde me masën e përgatitur. E hapim mirë duke përthyer tiganin ose nëse keni mund të përdorni mjetin që hap krepin, i cili është prej druri e ka një formë T.