Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi është arrestuar nga Gjykata Speciale. Pas këtij arrestimi ka reaguar edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.
Jashari përmes një postimi në Facebook, thotë se Krasniqi është shembull i ushtarit të denjë në luftë dhe politikanit të sinqertë. Sipas tij, askush nuk mundet që ta zbeh kontributin e tij për liri dhe shtet ndërtim.
Ai shton se pafajësia e Krasniqit është fakt i pamohueshëm, kurse lufta e tij e pastër është pjesë e historisë sonë.
Reagimi i plotë: Baci Jakup Krasniqi, ushtari i Lirisë, zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndër ushtarët e parë në Drenicë, ishte dhe mbetet shembull i ushtarit të denjë në luftë dhe i politikanit e udhëheqësit të sinqertë në paqe.
Askush dhe në asnjë menyrë nuk mund të zbehë kontributin e tij për liri dhe shtet ndërtim.
Lufta e tij e pastër, në mbrojtje të vendit dhe qytetarëve është pjesë e historisë sonë, kurse pafajësia e tij është fakt i pa mohueshëm. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, populli ynë liridashës ka bërë luftë të pastër, në mbrojtje të vendit dhe qytetarëve autokton. Botërisht dihet kush ka bërë krime kundër njerëzimit, kush janë kriminelët e vërtet dhe kush nuk kurseu asgjë për të zhdukur popullin dhe historinë tonë.
Andaj shteti dhe kriminelet serb duhet të përballen me drejtësinë dhe të japin llogari për krimet e bëra kundër njerëzit.
Çdo tentim për të njollosur UÇK-në dhe historinë tonë të lavdishme është e kot dhe një dështim i radhës i atyre që shpifin kundër popullit tonë. Është sfidë jo e lehtë, është “luftë” e përbashkët, që duhet fituar patjetër. Vetëm dhe vetëm të bashkuar. Baca Jakup Krasniqi do dalësh faqebardhë!