Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) po vazhdon dëshminë dëshmitari i 55-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Ramiz Qeriqi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Qeriqi pohoi se në batalionin e dytë të Brigadës 121 ku bënte pjesë ai, kishte polici ushtarake.
Ish-pjesëtari i UÇK-së shtoi se në batalione të UÇK-së ka pasur polici ushtarake, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një rregullore e UÇK-së në të cilën sipas prokurores Silvia D’Ascoli thuhej se dëshmitari ia kishte dhënë edhe ushtarëve të tij.
Sipas këtij dokumenti, thuhej se flitej edhe për policinë ushtarake dhe rolin e saj e po ashtu edhe sjelljet e tyre sa i takon popullatës civile, e të tjera.
Dëshmitari konfirmoi se sipas rregullores, policia ushtarak kontrollonte lejet e udhëtimit, lejet e njerëzve, arrestimet dhe i dërgonin ushtarët në drejtim të brigadës.
Ramiz Qeriqi pohoi se në batalionin e tij kishte deri në shtatë anëtarë në policinë ushtarake dhe komandant i saj ishte Ajet Hasani, ndërsa zëvendës i tij, Ajvaz Koripuzi.
Dëshmitari tha se policia ushtarake ka filluar të funksionojë nga fundi i majit dhe fillimi i qershorit 1998. Po ashtu, pohoi se komandan i policisë ushtarake në nivel të brigadës ishte Haxhi Shala i njohur me nofkën “Topi”.