Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të shtunën ka prezantuar projektin për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush”, e cila ishte mbyllur për qarkullim për disa javë, deri kur Rama kishte njoftuar se do të shndërrohej në shesh.
Në prezantim, Rama ka thënë se sheshi i ri do të ketë ndërlidhje me disa pjesë të qytetit. Ai ka thënë se do të jenë tri platforma në qendër të sheshit të ri, teksa ka prezantuar planin nëpërmjet fotografive.
Ai ka përsëritur se sheshi do të zgjatet deri kur të ndërtohet Xhamia e Madhe te Posta e më pas edhe deri te Rrethi i flamurit.
Ka pranuar se problemi i trafikut është i madh, por sipas tij duhet kohë që “të ndodhë transformimi i Prishtinës”. Rama ka thënë se ky transformim ka nisur e ka premtuar se ai do të përfundojë për “tetë vjet mandat”.
“Sheshi do të jetë përplot jetë dhe ideja është që këto sheshe të jenë të qasshme për të gjitha moshat. Gjithashtu do të ketë hapësirë për artistët që të krijojnë një Prishtinë të transformueshme. Te pjesa e Katedrales, për momentin është e rrethuar me një muri të vogël dhe ne kemi propozuar që të hapet dhe të jetë e qasshme për të gjithë qytetarët, në mënyrë që të mos t’i shohim këto monumente të rrethuara dhe të mos jenë të cenueshme për qytetarët”, u shpreh Rama.
Rama tregoi edhe për zgjerimin e këtij sheshi deri te Xhamia e Madhe, ku tha se edhe aty do të ketë një parking nëntokësor.
“Fillimisht e keni parë që te parkingu ka pasur një dalje por është mbyllur dhe tash është ideja është që të zgjatet sheshi deri te Xhamia e Madhe, ku edhe aty do të kemi edhe një parking nëntokësor dhe një tjetër te rrethi me flamur, e ku do të shfrytëzohet nga lagjet si ‘Kalabria’, ‘Dardania’ e ‘Prishtina e Re’”, u shpreh Rama.