Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se deri më 18 maj qytetarët do të jenë mbi 90 % të liruar nga masat.
Sipas Ramës është e rëndësishme që njerëzit të vazhdojnë të ndjekin rregullat e thjeshta për të shmangur goditjen nga një valë e dytë e koronavirusit, shkruan A2 CNN.
“Deri më 18 maj ne do të jemi mbi 90 % të liruar nga masat. E vetmja gjë që mbetet shqetësim është transporti publik me autobusë dhe furgonë. Po kërkojmë një formulë kompromisi lidhur me këtë. E gjitha pjesa tjetër do të çlirohet ndjeshëm duke evituar grumbullimet me mbi 10 persona. Do të jemi tërësisht të ekspozuar dhe duhet të kemi një intesitet komunikimi”, tha Rama gjatë një mbledhje online me Komitetin Teknik të Ekspertëve ku u diskutua për situatën që po kalon Shqipëria për shkak të pandemisë Covid-19.
Kreu i qeverisë shqiptare u njoh nga mjekët ekspertë të fushës dhe anëtarët e tjerë të Komitetit Teknik me zhvillimet e fundit dhe diskutoi me ta për masat që duhen ndërmarrë në një kohë kur nga java tjetër nis lehtësimi i masave dhe për shumë aktivitete të tjera.