Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës.
Ky traktat parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për ekzekutimin e dënimeve të shtetasve danezë.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze”, thuhet në njoftim.
“Çështja kryesore e trajtuar në këtë projektligj është ratifikimi i Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, të nënshkruar nga Ministrat e Drejtësisë të të dy vendeve, më 26 prill 2022 në Prishtinë dhe 16 maj 2022 në Kopenhagë të Danimarkës”, vijon njoftimi.