Qeveria Kurti s’e ka falenderuar SHBA-në për ndarjen e 200 milionë eurove
Kosova do të përfitojë 200 milionë euro investime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Fondacionit të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Muajin e kaluar, MCC-ja publikoi një raport ku thuhet se është miratuar kërkesa për ndarjen e këtyre mjeteve, të cilat kryesisht janë të përqendruara në programe për energji.
Ndaj SHBA-së, Qeveria e Kosovës nuk ka pasur falenderim për ndarjen e këtyre mjeteve, ose të paktën nuk e ka shprehur atë publikisht.
Për këtë ka pyetur në Zyrën e Kryeministrit, nga e cila, deri tash, nuk ka pasur përgjigjje nëse Ekzekutivi ka shprehur mirënjohjen publikisht apo privatisht ndaj SHBA-së për ndarjen e këtyre mjeteve.
Në dokumentin Justifikimi i Buxhetit të Kongresit për vitin 2022, të publikuar nga MCC-ja, thuhet se nëpërmjet zhvillimit të sektorit të gazit dhe burimeve të ripërtërishme, do tentohet të lehtësohet mbështetja e kosovarëve në qymyr. “MCC dhe Qeveria përfunduan studimet në vitin 2020 për të vlerësuar tri projekte të propozuara: zhvillimin e sektorit të gazit natyror të Kosovës, krijimin e rezervave të energjisë për balancimin e sistemit të energjisë dhe përmirësimin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Pas rishikimit të rezultateve të studimeve, Qeveria kërkoi të shkojë përpara me zhvillimin e sektorit të gazit dhe krijimin e rezervave të energjisë me synimin për të lehtësuar integrimin e burimeve të rinovueshme, lehtësimin e varësisë së Kosovës nga qymyri dhe arritjen e qëllimeve të dekarbonizimit”, thuhet në dokument.
Zbatimi i projekteve të MCC-së vjen si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar shtatorin e kaluar në Washington për normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit ka thënë se shpreson që do bashkëpunojë me qeverinë e re të Kosovës. Megjithatë, në njërën anë ka skepticizëm pasi kryeministri Albin Kurti pati thënë se s’do ta zbatojë Marrëveshjen e Washingtonit. “Nuk besoj që është menduar të implementohet. Ka disa elemente pozitive.. Kështu duhet ta shohim si grumbull pikash, e jo marrëveshje merre ose lere”, pati thënë kryeministri.