Nga 21 në 12 ministri do ti ketë Qeveria e re e Kosovës, ky ishte zotimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë fushatës zgjedhore.
Zvogëlimi i numrit të ministrive, ishte një nga çështjet që i kishte ofruar këto dy parti para zgjedhjeve të 6 tetorit, edhe pse nuk arritën të bëjnë koalicion parazgjedhor.
Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje është e para me një epërsi të ngushtë ndaj LDK-së dhe me shumë mundësi, janë këto dy parti që pritet të negociojnë rreth formimit të qeverisë së re.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se ekipet e ekspertëve të Vetevendosjes dhe Lidhjes Demokratike do të punojnë për harmonizimin e programit në njërën anë dhe në anën tjetër, për reduktimin e numrit të ministrive.
“Ne do ta synojmë numrin prej 12 të ministrive, ku së paku 30 për qind edhe sa i përket ministrave dhe zëvendësministrave do të jenë gra”, ka thënë Kurti.