Qëndrimi gjatë para kompjuterit rrezikon të manifestohet më probleme shëndetësore dhe dëmtim të fizikut të personave që puna e tyre lidhet me qëndrimin gjatë ulur para kompjuterit.
Për problemet që shkaktohen nga qëndrimi gjatë ulur, si duhet parandaluar dhe trajtuar këtë problematikë, ka treguar fizioterapeuti Gazmend Rexha.
Ai në një intervistë për Telegrafin ka theksuar se qëndrimi në vendin e punës për tetë orë, duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me kujdes se si qëndrojmë ulur, si mënyrë që të parandalohen sipas tij, problemet shëndetësore.
“Qëndrimi jo korrekt në vendin e punës mund të shkaktojë probleme shëndetësore, duke filluar nga problemet në të pamur, ku kemi lodhje, tharje dhe skuqje të syrit për shkak të qëndrimit të gjatë para monitorit me një distancë jokorrekte. Qëndrimi ulur gjatë para kompjuterit mund të ndikojë edhe në tensionimin e muskulaturës së qafës, shpinës, krahëve dhe problemeve me nyjet e dorës, etj”, ka theksuar Rexha.
Ai më tutje ka thënë se problemet e lartcekura paraqiten shpesh si komplikime te njerëzit që ushtrojnë profesione të tilla, e të cilat sipas tij, mund të kalojnë në probleme kronike.
“Nëse na shfaqet komplikimet e tilla shëndetësore, atëherë ato kërkojnë trajtim serioz, si dhe mund të ndikojnë negativisht me mosefikasitet në punë, për rrjedhojë mund të kërkohet edhe pushim mjekësor”, ka shtuar Rexha.
Fizioterapeuti ka treguar se qëndrimi para kompjuterit ka një sërë rregullash të cilat sipas tij, janë të nivel të standardeve ndërkombëtare.