Një shumicë dërrmuese e punëtorëve amerikanë janë të shqetësuar për sigurinë e vendeve të tyre të punës gjatë vitit 2025, sipas një studimi të ri të publikuar nga platforma My Perfect Resume, me titull “The Great Stay: 2025 State of the Labor Market”.
Sondazhi i realizuar me 1,115 punonjës zbuloi se rreth 81% e të anketuarve kanë frikë se do të humbasin punën këtë vit, ndërsa 20% e tyre janë “shumë më të shqetësuar” krahasuar me vitin e kaluar, sipas Newsweek.
Rreth 76% e pjesëmarrësve presin që pushimet nga puna të shtohen në vitin 2025 dhe 92% besojnë se një recesion është në horizont. Ndërkohë, 63% mendojnë se më shumë kompani do të mbyllen këtë vit se vitin e kaluar.
Statistikat mbështeten edhe nga të dhënat e marsit, ku sipas Challenger, Grey & Christmas, 275,240 pushime nga puna janë raportuar nga punëdhënësit amerikanë, numër ky më i lartë se në të njëjtin muaj të vitit pandemik 2020. 216,215 prej këtyre pushimeve kanë ardhur nga administrata federale, me një total prej 280,253 punonjës të prekur në vetëm dy muaj, në 27 agjenci qeveritare.
Sipas raportimeve, Departamenti për Efiçencën e Qeverisë, i drejtuar nga Elon Musk, po udhëheq këtë valë pushimesh, me synimin për të ulur burokracinë dhe kostot e shtetit.
“Nuk është vetëm frika e pushimit nga puna. Njerëzit kanë frikë se sistemi do t’i harrojë ata.”
“Asgjë nuk është më e sigurt”, thotë Patrice Williams Lindo, CEO i Career Nomad.
Ajo thekson se ky ankth është real dhe i justifikuar.