Kanceri është një nga sëmundjet me vdekshmërinë më të lartë në botë.
Të dhëna e autoriteteve zyrtare tregojnë se në vendin tonë çdo vit regjistrohen rreth 5500 raste të reja me këtë sëmundje. Numër më të lartë të të prekurve shënojnë kanceri i mushkërive dhe ai i gjirit. Instituti i Shëndetit Publik thotë se numri i meshkujve të prekur nga kanceri është 4 herë më i lartë se i femrave.
Kjo sëmundje prek shumë organe në trup: gjirin, mushkëritë, kokën, lëkurën, zorrën e trashë veshkat por shumë rrallë zemrën.
Përse zemra nuk preket aq lehtë nga kanceri
Çdo qelizë e trupit ka potencialin për tu bërë e keqe ose kancerogjene. Kjo sëmundje buron pikërisht nga mutacioni i ADN-së së qelizës. Përpara se një qelizë kancerogjene të bëhet vdekjeprurëse ajo i nënshtrohet një sërë mutacionesh. Shumica prej tyre ndodhin kur qeliza ndahet në dysh dhe riformon ADN-në e saj.
E vetmja mënyrë që qeliza të kalojë në mutacion është të ndahet e të shumohet. Qelizat e zemrës nga ana tjetër nuk replikohen dhe formojnë qeliza të reja përveç se në rastet e ndonjë lëndimi. Duke qenë se qelizat e zemrës nuk ndahen, gjasat për mutacion janë tepër të vogla. Le t’i hedhim një sy mënyrës si formohen tumoret e gjirit, zorrës së trashë e lëkurës.
Shumica e qelizave zëvendësohen me të reja gjatë gjithë kohës. Indet e gjirit për shembull ndikohen gjithë kohës nga hormonet, shtresat e zorrës së trashë zëvendësohen gjithë kohës, e njëjta gjë vlen edhe për lëkurën. Duke qenë se qelizat kalojnë në mutacion gjithë kohës, kjo është arsyeja që këto sëmundje janë më të përhapura. Krejt ndryshe është zemra, e cila nuk është e ekspozuar ndaj kancerogjenëve të jashtëm e atyre të brendshëm, por vetëm qelizave në gjak të cilat nuk kalojnë në mutacion.