Në dhjetor, autoritetet kosovare e morën një qëndrim të ashpër ndaj IuteCredit-it, një kompani me pronarë estonezë, duke e filluar papritmas likuidimin e kompanisë. Pronarët e IuteCredit-it tashmë e kanë mobilizuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe disa politikanë estonezë për ta mbrojtur këtë institucion mikrofinanciar. Njëri nga pronarët thotë se kompania është rrëmbyer nga autoritetet kosovare.
Pronarët kryesorë të IuteCredit-it janë Allar Niinepuu dhe Tarmo Sild, partnerë të njohur biznesorë të Arco Vara-s. IuteCredit, e njohur nga pronarët e vet si kompani mikrofinanciare dhe teknologjiko-financiare, është themeluar në vitin 2008 në Moldavi dhe më pas është zgjeruar në vendet e Ballkanit. Në dhjetor, grupi e kishte vlerën e përgjithshme prej 100 milionë eurosh dhe i ka dhënë 180 mijë hua aktive.
Megjithatë, në fund të vitit, dega në Kosovë u godit nga një vendim i papritur. Më 6 dhjetor, Banka Qendrore ia suspendoi licencën kompanisë “IuteCredit Kosovo” me arsyetimin se kompania ka vendosur shkallë shumë më të lartë të interesit të huave në krahasim me planin origjinal të biznesit.
Pronarja kryesore e kompanisë “IuteCredit Europe AS” është “Alarmo Capital”, e cila posedon 89.8 për qind të kompanisë. Sipas Silla-s, pjesa tjetër prej 10 për qind është blerë nga persona ekzekutivë nga Estonia dhe vendet nikoqire si dhe nga tre investitorë të rëndësishëm estonezë, të cilët kanë qenë të përfshirë në IuteCredit që nga themelimi i saj. “E shprehëm mirënjohjen tonë për mundësinë e blerjes së aksioneve”, i kishte thënë ai në shtator gazetës “Äripäev”.
Në anën tjetër, “Alarmo Capital” është në pronësi të pjesshme të “Kavass OÜ” përmes Allar Niinepuu-s, ndërsa pjesa tjetër është në pronësi të Tarmo dhe Kristi Silla-s përmes kompanisë “Aia Tänav OÜ”. Kompania operon në Moldavi, Shqipëri, Maqedoni Veriore, Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Kompania amë e grupit është “IuteCredit Europe AS”, në bordin e lartë të së cilës është edhe Jaanus Ots, tregtar i mirënjohur i pronave të paluajtshme. Sipas qëndrimit të tij, nuk mund të përjashtohet mundësia që kompania të jetë rrëmbyer. “Për ta shkatërruar biznesin ose për ta marrë kontrollin në të”, janë justifikimet e mundshme për veprimet e autoriteteve kosovare, sipas tij.
Mediet kosovare kanë përmendur taksë vjetore të interesit prej gati 240 për qind nga IuteCredit. Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, tha në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë se interesi i paguar në IuteCreddit e ka tejkaluar disa herë shifrën e theksuar në planin biznesor. Banka Qendrore thotë se IuteCredit ka hedhur në treg diçka tjetër në krahasim me shërbimet për të cilat fillimisht është licensuar, transmeton Gazeta Express.
Sidoqoftë, kjo gjë është mohuar nga Ots, duke thënë se përqindja maksimale fillimisht ka qenë 59 për qind, ndërsa më vonë është bërë 57 për qind. Sipas Ots-it, shkalla maksimale e interesit nuk është fare e rregulluar me ligj në Kosovë.
Megjithatë, kultura lokale e biznesit ishte një befasi e keqe për biznesmenët estonezë. “Ne nuk kemi përvojë, nuk kemi hapësirë tjetër kulturore. Kjo nuk nënkupton që kam ndonjë gjë kundër popullit të Kosovës – absolutisht asgjë – por unë qartazi kam diçka kundër asaj që unë mendoj se janë duke e bërë në mënyrë ilegale”, tha Ots.
Figurat udhëheqëse të kompanisë janë duke u përpjekur dëshpërimisht që ta zgjidhin situatën dhe t’i përfshijnë politikanët estonezë, Ministrinë e Punëve të Jashtme, mediet dhe ekipin e marrëdhënieve me publikun./Gazeta Express