Dega e AAK-së në Prizren ka paraqitur kallëzim penal ndaj pesë zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, me pretendimin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare me rastin e lejimit të këmbimit të një prone komunale me një pronë private në mënyrë të kundërligjshme.
Por lidhur me këtë çështje ka reaguar drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Osman Hajdari, që ka paralajmëruar Degën e AAK-së dhe autorët e këtij kallëzimi penal se do të përballen me padinë për shpifje dhe dëmtim të imazhit për shkak të akuzave të pabazuara dhe me motive politike.
Prokuroria Themelore e Prizrenit të mërkurën ka konfirmuar pranimin e kallëzimit penal të parashtruar nga Dega e AAK-së në fillim të këtij muaji.
“Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se me datë 03 janar 2020 në Prokurori është dorëzuar kallëzimi penal nga Dega e AAK-së në Prizren kundër kryetarit të Komunës, tre drejtorëve të drejtorive dhe një zyrtari ligjor, për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), lidhur me këmbimin e pronës komunale me pronën private, në kundërshtim me Ligjin Nr. 04/L- 144 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës”, ka thënë zyrtarja për informim e kësaj prokurorie, Fitore Mehmeti- Sejrani. /koha/