Në lagjen Ulpiana në Prishtinë, zonat e gjelbëruara po shfrytëzohen për parkimin e automjeteve.
Kjo është bërë e ditur me rastin e publikimit të një fotoje në faqen “Vrojtuesit e lagjes” në rrjetin Facebook, e cila është nën administrimin e qytetarëve për parregullsitë që ndodhin në kryeqytet, shkruan Reporteri.net.
Aty shihen gjashtë vetura të parkuara në hapësirat e gjelbëruara në këtë lagje.
Qytetarët janë shprehur të shqetësuar me këtë dukuri dhe kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të vendosen shtyllat anti-parking në mënyrë që hapësirat e gjelbra të ruhen.
Parkingjet në kryeqytet janë një prej çështjeve që preokupojnë qytetarin e Prishtinës. Ashtu si edhe qytetet tjera, edhe Prishtina zgjidhjen e sheh në menaxhimin e kërkesës për parking dhe rritjen e hapësirave.
Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, që nga marrja e mandatit të parë kishte premtuar rregullimin e parkingjeve, por deri më tani komuna nuk ka arritur që të fillojë realizimin e këtij projekti.
Në nëntor të vitit 2019 Ahmeti kishte thënë se parkingu me një investim mbi 10 milionë euro do të fillojë ndërtimin së shpejti ndërsa punimet do të zgjasin 18-24 muaj.
Ndonëse punimet për ndërtimin e parkingut nëntokësor përballë Fakultetit të Filologjisë ishin planifikuar të nisnin qysh në vitin 2018, ato nuk kanë filluar ende.
Në vitin 2016, Prishtina ka arritur të krijojë Ndërmarrjen Publike Komunale “Prishtina Parking”, por që as sot kjo ndërmarrje nuk është funksionalizuar.
Kjo është pamja në lagjen Ulpiana: