Prishtina merr një fitore të rëndësishme ndaj Llapit, Ulpiana thellohet edhe më shumë në zonën e rrezikshme
Kanë përfunduar ndeshjet e xhiros së 27-të në Superligën e Kosovës, që janë zhvilluar sot.
Prishtina ka arritur të marrë një fitore mjaft të rëndësishme në shtëpi 2:1, ndaj Llapit.
Ishte një ndeshje ku fitoren më shumë e kërkonin kryeqytetasit. Pjesa e parë e këtij takimi, u mbyll 0:0.
Pjesa e dytë filloi më mirë për Prishtinën, ku në minutën e 48`, arritën të zhbllokonin ndeshjen, me anë të Besnik Krasniqit, nga pika e bardhë.
Në minutën e 65` Endrit Krasniqi shënoi, për të dyfishuar epërsinë e Prishtinës.
Në minutën e 78` Drilon Fazliu shënoi për Llapin, për të ngushtuar epërsinë në 2:1.
Pas kësaj fitore Prishtina ngjitet në vendin e pestë me 35 pikë, Llapi në pozitën e katërt me 41 pikë.
Ulpiana vazhdon të tellohet edhe më shumë në zonën e rrezikshme, pas humbjes 2:3 ndaj Dritës.
Ishte një ndeshje mjaft intensive nga të dy ekipet, ku shënuan nga dy gola vetëm në pjesën e parë të takimit.
Ndeshjen më mirë e filloi Drita, ku në minutën e 5` shënoi Muharrem Jashari, për t`ia dhuruar epërsinë gjilanasve.
Në minutën e 20` shënoi Ermir Rezi, për të barazuar ndeshjen në 1:1.
Pesë minuta më vonë, Drita riktheu epërsinë, me golin e bukur të shënuar me kokë, nga Marko Simonovski.
Ndeshja u bë edhe më interesante kur në minutën e 44` shënoi Akil Makolli, për të barazuar përsëri, por këtë herë në 2:2.
Pjesa e parë u mbyll me atë rezultat. Pjesa e dytë filloi njësoj me aksione e raste nga të dy ekipet.
Edhe këtë herë më efikas u treguan Drita. Simonovski shënoi golin e dytë në takimin e sotëm dhe atë të epërsisë 2:3, ndaj Ulpianës.
Pas kësaj fitore Drita vazhdon të qëndrojë në vendin e dytë me 49 pikë, ndërsa Ulpiana thellohet edhe më shumë në vendin e nëntë me 24 pikë.