Prindërit e ish-policit të arrestuar në Serbi, Arbnor Spahiu, kanë lëshuar një deklaratë, ku thuhet se i biri i tyre po mbahet në paraburgim me akuza të padrejta dhe të pabaza.
Ata thonë se Arbnor Spahiu ka dhënë dorëheqje nga Policia më 1 nëntor 2022 dhe që atëherë jeton në Gjermani me bashkëshorten e tij.
“Ne jemi prindërit e Arbnor Spahiut. Djali ynë ndodhet aktualisht në paraburgim në Serbi, mbi bazën e një akuze të padrejtë dhe të pabazë. Dëshirojmë të sqarojmë publikisht se Arbnori ka dhënë dorëheqje nga puna më 1 nëntor 2022. dhe që prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me bashkëshorten e tij, duke ndjekur një jetë të qetë dhe të rregullt. Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur një vit më pas, në një kohë kur ai nuk ka qenë pjesë e asnjë institucioni dhe nuk ka pasur asnjë rol që do ta lidhte me atë rast. Çdo përpjekje për ta lidhur emrin e tij me një ngjarje që nuk ka të bëjë me të është jo vetëm e padrejtë, por edhe e dëmshme.”