Policia e Kosovës ka njoftuar se protestuesit serbë në Zveçan kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të Policisë.
Në një komunikatë për media në lidhje me gjendjen aktuale në veri të vendit, Policia është deklaruar se kanë përdorur sprej-in me qëllim që t’i ndalojë protestuesit e dhunshëm serbë.
“Protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut si në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan për të protestuar, ku para objektit të komunës së Zveqanit protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës, ku Policia është detyruar të përdorë mjetet e ligjshme, si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”, njofton Policia.
Tutje, ata ftojnë që qytetarët të protestojnë qetë dhe të mos bien pre e provokimeve.
“Protestat pranë komunave veriore janë duke vazhduar, Policia e Kosovës është duke menaxhuar situatën, njëkohësisht fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjeve të protestave, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.