Fansat e NBA-së po e kujtojnë ikonën Kobe Bryant, i cili vdiq në moshën 41 vjeçare bashkë me të bijën e tij Gianna, 13-vjeçe, në një aksident fatal me helikopter ku vdiqën nëntë persona të dielën në mëngjes.
Gjatë karrierës së tij 20-vjeçare në NBA, Bryant çimentoi statusin e tij si një prej më të mirëve të të gjitha kohërave, me pesë kampionate të ligës, dy Finale të MVP-ve në NBA, një çmim MVP në NBA më 2008 dhe 18 ndeshje All-Star, raporton footwearnews.
E tani fansat po duan që lojtari i Los Angeles Laker të kujtohet përherë në logon e re të NBA-së.
“Me ikjen e hershme dhe të papritur të të madhit Kobe Bryant, ju lutemi të nënshkruani këtë peticion në përpjekje për të imortalizuar atë përgjithmonë në logon e re të NBA-së”, shkruan në peticionin në Change.org i nisur nga një përdorues i njohur si Nick M, transmeton Koha.
Kërkesa fillestare ishte që të mblidhen 200,000 nënshkrime, por ajo u arrit shumë shpejt, ndërsa tani ka mbërritur në gati 300 mijë nënshkrime.
Për vdekjen e Bryantit, ngushëllime kanë shprehur, përveç botës së sportit, edhe politikanë, artistë, e njerëz nga fusha të ndryshme, por edhe shumë qytetarë të thjeshtë.