Një përplasje e ashpër ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës mes kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit dhe deputetit që vjen nga partia e saj, Driton Selmanaj.
Gjithçka nisi në momentin kur Selmanaj tha se Osmani po tenton t’i legjitimojë shkeljet e Kushtetutës të bëra nga qeveria e Kosovës, shkruan lajmi.net.
“Përpjekja apo interpretimi juaj është përpjekje për legjitimimin e shkeljeve të qeverisë së Kosovës”, tha fillimisht Selmanj.
Kjo shkaktoi reagimin e ashpër të Osmanit që më pas ia ndali fjalën deputetit Selmanaj.
“Zoti deputet nuk ke të drejtë, në radh të parë fjalën ta dhash për mocion nese don me fol për mocion fol, nuk mundesh me fol për dicka tjetër. Regjia ndalja fjalën. Zotri deputet nesë mendon që tu ka shkel ndonjë e drejt janë procedurat. Mos më ofendoni”, ka thënë Osmani.
E pa përgjigje nuk e la as deputeti Selmanaj.
“Kjo qasja autoritare po më ngjanë sjelljet e dikujt tjetër”, tha në fund Selmanaj.
Pas kësaj situate reagoi edhe shefi i Grupit Parlamentar, Arben Gashi që kërkoi nga Osmani t’ia jap përsëri fjalën Selmanajt, pasi që sipas tij ai ishte duke folur në cilësi të kryetarit të Komisionit për Legjislacion.