Analisti dhe avokati i njohur kosovar, Dastid Pallaska e ka vlerësuar si të turpshme citimin që i ka bërë Lëvizja Vetëvendosje kushtetutës së Serbisë në ankesën e dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Sipas Pallaskës, Vetëvendosje ka cituar një kushtetutë që mohon shtetësinë e Kosovës.
“E pabesueshme.
Lëvizja Vetëvendosje citon Kushtetutën e Serbisë në kërkesën e vet në Gjykatë Kushtetuese përkundër faktit që Neni 182 i kësaj Kushtetute përcakton se “Kosova është pjesë e Serbisë.”
Kjo Kushtetutë nuk ishte dashur të citohej edhe nëse do të ishte e vetmja që i shërben argumenteve të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë rast.
Është hera e parë që pas pavarësimit të vendit që në dokumente zyrtare nga bartës të funksioneve publike legjitimohet një dokument që e mohon shtetësinë e Kosovës” shkruan Pallaska në reagim.