Ditën e djeshme në media është publikuar dëshmia e Granit Plavës, të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, me porosi të Naim Murselit, të dhënë para hetuesve policorë më 1 dhjetor 2023.
Sipas kësaj dëshmie, Granit Plava ka thënë se Naim Murseli e ka porositur atë për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve policorë më 1 dhjetor 2023, Plava ka deklaruar se Murseli ia ka ofruar 30 mijë euro për vrasjen e Ademajt.
Biseda mes tyre ka ndodhur rreth një javë para se të kryhej vrasja në një pompë të derivateve në Gremnik të Klinës. Në tavolinë me ta ndodhej edhe Kushtrim Kokalla, i dyshuari tjetër për përfshirje në vrasjen e 30-vjeçares.
Paparaci e ka siguruar dëshminë e plotë të Plavës dhënë hetuesve policorë.
“Gjatë bisedës në prezencë të të treve, Naimi më ka thënë se do t’i marrësh 30,000.00 euro pasi ta vrasim këtë grua. Në këtë ditë është përmend edhe kallashi për ta ekzekutuar këtë grua, por nuk kam pranuar. Pak para se të largohem m’i ka dhënë dhe 400 euro, dhe Kushtrimit ia ka dhënë një shumë tjetër dhe jemi marrë vesh që të kryhet kjo punë”, ka thënë Plava. “Po ashtu, Naimi na ka thënë se ‘unë kam me shku në Shqipni dhe të kryhet kjo punë sa unë jam atje’”.
Plava ka thënë se në momentin e vrasjes së Liridona Ademajt, në veturë ka qenë edhe Naim Murseli.
“Unë nuk i kam vërejt fëmijët, ndërsa Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”, ka thënë ai.
Plava ka dëshmuar se Murseli e ka telefonuar në ditën e vrasjes së Ademajt dhe i ka kërkuar “që të kryhet kjo punë”.
“Në ditën e vrasjes më ka thirrur në Whatsapp dhe më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke më thënë se ti e di se ‘kam pare unë, nëse ndodh diçka unë do të të nxjerr’. Më ka marrë me veturën e tij Range Rover rreth orës 12:00 ku kemi bërë gjiro tek Liqeni i Radoniqit. Aty është prishë goma e veturës dhe kemi shkuar në fshatin Novosellë e Epërme ku aty pronari i një vullkanizeri pasi e kemi rregulluar gomën, Naimi ka thënë se e mora këtë armë nga pronari i këtij vullkanizeri”, ka dëshmuar Plava.