Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditëve të fundit vazhdimisht ka pretenduar që ka mbështetjen e BE-së dhe Britanisë së Madhe për planin e tij për taksën ndaj mallrave me Serbinë. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të SHBA-së për heqjen e plotë të taksës, Kurti po vazhdon të rreshtohet me BE-në dhe Britaninë.
Mirëpo, kur Kurti vendosi t’i injorojë këshillat nga partneri kryesor i Kosovës, Amerika, dhe të rreshtohet me BE-në dhe Britaninë e Madhe, ai po mbetet i vetëm në luftë me Serbinë kundër tërheqjes së njohjeve të Kosovës.
Burime diplomatike të pohojnë që këtë javë Kosovës do t’i tërhiqet edhe një njohje. Shteti i radhës që do ta tërheqë njohjen, sipas këtyre burimeve, është Sierra Leone. Tërheqja vjen pas takimeve që Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka zhvilluar me zyrtarë të lartë të këtij shteti.
Duket se as Britania e Madhe, e cila ka ndikim të madh në këtë shtet, nuk ka ndonjë plan për ta kundërshtuar fushatën e Serbisë kundër njohjeve të Kosovës, edhe pse i kishin premtuar Kurtit një gjë të tillë kur e mbështetën për heqjen e pjesshme dhe graduale të taksës.
Ishte Britania e Madhe që më 13 qershor 2008 e kishte siguruar njohjen e Sierra Leones për Republikën e Kosovës.