Mjekja kujdestare në Mjekim Intensiv, Agreta Gashi, ka bërë të ditur se katër pacientët që u lënduan nga shpërthimi i bombolës së gazit janë në gjendje të rëndë.
Gashi tha se është stabilizuar gjendja e tyre, mirëpo vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë.
Tutje, ajo tha se njëri nga pacientët, fëmijë rreth moshës 10 vjeçare, do të dërgohet në Suedi pasi është shtetase suedeze.
“Kemi arritur me stabilizu gjendjen, por vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë. Njëri prej tyre po dërgohet për trajtim jashtë vendit, në Suedi, meqenëse është shtetase suedeze dhe është me përqindje më të lartë të djegies. Është rreth 10 vjeç”, tha Gashi për Insajderin.
Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje nga ngjarja që ndodhi dje në fshatin Kçiq të Mitrovicës, ku 14 persona pësuan lëndime trupore pas shpërthimit të një bombole gazi.
Bombola kishte shpërthyer në bodrumin e shtëpisë ku banorët po qëndronin.
Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen, përveç të lënduarve janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.
“Katërmbëdhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen. Përveç të lënduarve si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale”, thuhet në raportin e policisë.