India, sipas të gjitha parashikimeve, pritet të bëhet sot [e premte] vendi më i populluar në botë, të cilin Kina e mbajti për dekada. Përballë një popullsie të madhe dhe në rritje prej më shumë se 1.4 miliardë banorësh, shërbimi i planifikimit familjar i Indisë është nën presion për të mbajtur një normë lindjeje në rënie, shkruan France24.
Parashikimi i OKB-së thotë që më 14 prill, popullsia e Indisë do të arrijë në 1.425.775.850 – një numër që do të rrëzojë Kinën nga pozicioni i saj prej kohësh si vendi më i populluar në botë.
Popullsia e saktë e Indisë sot nuk dihet (përditësimi i regjistrimit dhjetëvjeçar të vitit 2021 është shtyrë për një kohë të pacaktuar për shkak të pandemisë), por të gjitha shenjat tregojnë për rritje eksponenciale. Ndërsa shkalla e rritjes së popullsisë së Kinës ka filluar të bie, ajo e Indisë vazhdon të rritet.
India i ka shtuar rreth 210 milionë popullsisë së saj që nga regjistrimi i fundit 12 vjet më parë – pothuajse aq njerëz sa jetojnë në Brazil. Që nga viti 2020, India ka afërsisht një milion banorë më shumë çdo muaj.
Por gjatë të njëjtave dekada që rritja e popullsisë së Indisë u rrit, normat e lindshmërisë ranë. Në vitin 1964, gratë indiane kishin mesatarisht gjashtë fëmijë, sot ato kanë pothuajse dy, pjesërisht për shkak të shërbimit të planifikimit familjar të qeverisë, për të cilin India pretendon se ishte vendi i parë që e ofroi atë kur u lansua më 1952.