Psikologu Visar Sadiku, përmes grupit “Macet e Kosovës” në Facebook, ka propozuar që të realizohet një peticion për të vendosur për varrezat e kafshëve në Prishtinë.
“Duke e pasuar parasysh se macet tona dhe kafshët në përgjithësi, janë anëtarët e familjeve tona, dhe ne e dimë që ato nuk do të jenë me ne përgjithmonë, a nuk është e duhur që të realizojmë një peticion për Komunën e Prishtinës, për të vendosur për ‘varrezat e kafshëve’”, ka shkruar Sadiku në këtë grup.
Sipas tij të gjitha shtetet e Evropës kanë varreza të kafshëve.
“Unë nuk mendoj se është e duhur për një mase më të cilën ke kaluar shumë kohë, i ke dhënë e të ka dhënë shumë dashuri, të përfundojë në një gropë e të harrohet që ka ekzistuar ndonjëherë … Të gjitha shtetet e Evropës kanë varreza për kafshët”, ka shkruar Sadiku.
Ai është shprehur se për shkak të lidhjeve që krijojnë njerëzit me kafshët e tyre, duhet të ketë një vend që t’i varrosin pasi ato të ngordhin.
“Mendoj se duhet me pas varreza për kafshët sepse ndër lidhjet më të sinqerta që zhvillojmë dhe mirëmbajmë në jetë janë lidhjet me kafshët tona. Ato integrohen brenda familjes dhe e gëzojnë pozitën e tyre brenda familjes. Duke pas parasysh që kafshët janë edhe të mbrojtura me ligj, është e drejtë edhe pjesë e kulturës të kenë varrezat e tyre”, ka thënë Sadiku për Kohën.
Sipas tij, pronaret aktualë të kafshëve në mungese të një varreze për kafshët, kryesisht i varrosin kafshët në oborret e tyre.