Tanimë është e vërtetuar, madje edhe e provuar vetë që, të lësh makinën nën diellin e verës, mund ta kthejë atë në një sauna që ecën.
Por, kur bëhet e rrezikshme temperatura brenda automjetit tuaj? Sa minuta i duhen një makine të parkuar për të arritur temperaturat vdekjeprurëse? Përgjigja mund të jetë një çështje e jetës dhe vdekjes. Në një studim të faqes livescience.com , ata studiuan se sa kohë u duhet makinave për t’u ngrohur. Gjetjet ishin dekurajuese: Brenda 1 ore, temperatura brenda një makine të parkuar në diell në një ditë 35 gradë Celsius, arriti mesatarisht 47 gradë!
Pultet e makinave ishin edhe më të nxehta, duke arritur një mesatare prej 69 gradë Celsius, timoni kishte një temperaturë prej 53 gradë Celsius dhe temperatura e sediljeve arrinte mesatarisht 51 gradë Celsius.
Makinat e parkuara në hije në një ditë të nxehtë kishin temperatura më të ulëta, por ende të nxehta. Pas 1 ore, temperatura e brendshme e këtyre makinave ishte mesatarisht 38 gradë Celsius, pulti shkoi në 48 gradë, timoni në 42 dhe sediljet ishin mesatarisht 41 gradë Celsius. Përveç goditjes nga nxehtësia, një problem i madh është edhe hipertermia (temperatura më e lartë se normalja e trupit) , e cila shkakton probleme në organet e brendshme dhe madje edhe dëmtime të trurit.