Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 10 mars të këtij viti, ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet A.M, me arsyetimin se i njëjti ka kryer veprën penale “vjedhja e shërbimeve”.
Por, sipas dokumenteve zyrtare të gjendjes civile, është konstatuar se i ai ka vdekur me 14 mars 2015, apo 5 vite para se të ngrihej aktakuza ndaj tij.
Duke u bazuar në këto dokumente, Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, të mërkurën, ka pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve, A.M.
Aktakuza në fjalë, e cila është përpiluar nga prokurori Rrahim Podvorica, është hudhur poshtë nga gjykatësi i çështjes, Minir Hoti.
Në aktvendimin e hudhjes së aktakuzës, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se veprimet e tilla Gjykata në Podujevë i ka ndërmarrë pasi ka siguruar informata të besueshme mbi vdekjen e A.M.
“Pas pranimit të aktakuzës dhe shqyrtimit paraprak të saj, gjyqtari i vetëm gjykues ka pasur informata të besueshme se i pandehuri A.M, nga Podujeva, rruga “Ali Ajeti”, ka vdekur, për këtë gjykata ka siguruar certifikatën e vdekjes për të ndjerin, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile në Podujevë, me datë 15 prill 2020, me të cilën vërtetohet se i njëjti ka vdekur me 14 mars 2015 në Prishtinë”, thuhet në aktvendimin e gjykatësit Hoti.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, A.M, akuzohej se nga data e pavërtetuar e deri me 1 gusht 2019, në adresën e lartpërmendur në Podujevë, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së huaj të luajtshme, që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka vjedhur energjinë elektrike në atë mënyrë që punëtorin e zdrukthëtarisë së tij e kishte furnizuar direkt pra jashtë njehsorit matës.
Siç përshkruan kjo aktakuzë, i njëjti ka bërë kyçje ilegale para njehsorit duke e zhveshur kabllon dhe duke e lidhur/kyçur para pikës matëse dhe si pasojë ka pamundësuar regjistrimin dhe faturimin e energjisë elektrike.
Tutje, nga aktakuza e njëjtë thuhet se palës së dëmtuar KEDS i është shkaktuar dëm në lartësi prej 5933,00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me këtë ai akuzohej se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, e paraparë me nenin 314 të KPRK-së.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi, në nëntor të vitit të kaluar, kishte publikuar raportin analitik “Prokurorët në Kosovë ngrisin aktakuza ndaj të vdekurve”, si rezultat i monitorimit dhe hulumtimit sistematik të rasteve penale nga organet e drejtësisë në Kosovë, të cilat vetëm gjatë dy viteve të fundit kanë ngritur një numër të konsiderueshëm të rasteve të ngritjes së aktakuzave ndaj personave të vdekur.
Në raport thuhet se ngritja e aktakuzave ndaj personave të vdekur, dëshmon se procedura e hetimeve nga prokurorët në vendin tonë nuk kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara.
Gjetjet e IKD-së dëshmojnë se në rastet e analizuara të ngritjes së aktakuzave ndaj personave të vdekur, janë evidentuar pasojat që shkaktohen me ngritjen e aktakuzave në këtë mënyrë, duke filluar kështu nga shkelja e të drejtave dhe lirive të njeriut, krijimi i pasigurisë juridike, dëmtimi i imazhit dhe kredibilitetit të sistemit të drejtësisë, si dhe ulja e besimit të publikut lidhur me integritetin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
KD ka rekomanduar që prokurorët të sigurojnë që mos të cenohet siguria juridike e qytetarëve dhe të zbatojnë në praktikë dispozitat ligjore që garantojnë të drejtat e të pandehurve në procedurë penale.
“Betimi për Drejtësi” në vazhdimësi ka raportuar për të gjitha këto raste, ku numri i këtyre aktakuzave të ngritura ndaj personave të vdekur po vazhdon të rritet.