Këngëtarja Shkurte Fejza ka shprehur indinjatën e saj lidhur me vendimin e Federatës së Futbollit të Shqipërisë për ndalimin e transmetimit të këngës ‘Mora Fjalë’ në stadiumin ‘Air Albania’, ku luan kombëtarja shqiptare.
Gjatë një diskutimi në emisionin Sports Show, në Klan Kosova, u përmend emri i Andi Verçanit, i cili ka qenë pjesë e departamentit të komunikimit në FSHF. Fejza theksoi se ky person mund të ketë qenë shkarkuar pas ftesës që i bëri asaj për të interpretuar këtë këngë në stadium.
“Ndoshta edhe pse më ka thirrë mua, e kanë shkarku, mund të jetë kjo arsyeja”, tha Shkurte Fejza, duke e shndërruar diskutimin në një pasqyrë të tensioneve mes artistëve dhe institucioneve sportive.
Shkurte Fejza theksoi se ajo ndjen se ndalimi i kësaj kënge kishte një motiv personal dhe ishte një ofendim për popullin e Kosovës. “Me të thënë të drejtën, gjatë këtyre ditëve e kam kuptuar nga mediat, dhe kjo më ka bërë të ndjehem shumë keq. Kjo është një situatë që sjell pikëllim tek çdo dashamirës i kësaj kënge, por edhe tek çdo atdhetar i ndershëm të këtij kombi të martirizuar,” tha ajo.