Udhëheqësit e 32 vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën të martën në mbrëmje (24.06.) në pallatin Huis ten Bosch në Hagë për një darkë shtetërore të organizuar nga familja mbretërore holandeze, me rastin e samit të aleancës perëndimore të mbrojtjes.
Ky takim është takimi i parë i NATO-s në të cilin merr pjesë presidenti Donald Trump, pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë. Si mysafir i çiftit mbretëror holandez Presidenti i SHBA-së do të qëndrojë në Pallatin Huis ten Bosch gjatë samitit dy-ditor në Hagë.
Foto grupi – Presidenti Donald Trump, përpara i katërti majtas, pozon me Mbretin Willem Alexander të Holandës, Mbretëreshën Maxima të Holandës dhe krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s gjatë një fotoje grupi në Paleis Huis ten Bosch në margjinat e samitit të NATO-s në Hagë.
Tema kryesore e takimit është marrja e vendimit për shtimin e shpenzimeve për mbrojtjen dhe për armatosjen e NATO-s, që do të jenë më të mëdhatë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Deri në vitin 2035 shpenzimet për mbrojtjen pritet të arrijnë në pesë përqind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB). Aktualisht ato janë dy përqind. Në të ardhmen të paktën 3.5 përqind e PBB-së duhet të shpenzohet për shpenzimet e zakonshme ushtarake. Përveç kësaj në shumën prej 5% do të merren në konsideratë edhe investimet për luftën kundër terrorizmit ose për infrastrukturën që mund të përdoret edhe nga ushtria.