Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka njoftuar se në fillim të kësaj jave ka qenë në Hagë për të vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim prej dy vjetësh nga Dhomat e Specializuara.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa shkroi se ata janë mirë dhe të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën.
“Më gëzoi fakti që i gjeta mirë, të mbushur me idealizëm; të bindur në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë të UÇK-së, të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën. Mund të jem pajtuar apo të mos jem pajtuar me njërin apo tjetrin për konceptet partiake e të qeverisjes, por është e pamohueshme trimëria dhe kontributi i tyre në mbrojtjen e popullatës në zonat më të ashpra të luftës dhe zëdhënien për masakrat çnjerëzore nga ushtria dhe shteti i Millosheviçit”, shkroi Mustafa.
Ai tha se është i pamohueshëm edhe kontributi i ish-krerëve të UCCK-së për paqe në Konferencën e Rambujesë, në transformimin e UÇK-së menjëherë pas lufte, në negociatat e Vjenës për shtet të pavarur, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike.
“Uroj që nga ky proces, që u iniciua nga konstruksionet e rrejshme ruse-serbe në Raportin e Dick Martit, të fitojë drejtësia”, përfundoi Mustafa.