Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas tragjedisë me 11 të vdekur në Graz të Austrisë.

MPJD përmes një komunikate për media ka thënë se ndonëse autoritetet zyrtare në Vjenë s’e thonë, nga burime jozyrtare kanë mësuar se një e mitur nga Kosova mund të jetë në mesin e viktimave që humbën jetën në Graz.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente austriake lidhur me krimin e rëndë të ndodhur sot në një shkollë në qytetin Graz.
Sipas informacioneve zyrtare të pranuara nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) në Vjenë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri, kanë humbur jetën 10 persona, gjashtë femra dhe katër meshkuj, përfshirë edhe autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili dyshohet se ka kryer vetëvrasje brenda ambienteve të shkollës.
Nga të dhënat e deritanishme të konfirmuara nga Policia Austriake, në mesin e viktimave gjendet vetëm një shtetas i huaj me origjinë nga Polonia, viktimat e tjera janë shtetas austriakë, ndërsa shtetas nga Kosova, nuk ka as në mesin e të plagosurve.
Nga burime jozyrtare kemi mësuar se në mesin e viktimave mund të jetë edhe një e mitur me prejardhje nga Kosova, L.B. e lindur në Austri në vitin 2010.
Autoritetet austriake nuk kanë publikuar ende një listë zyrtare të plotë të viktimave dhe të lënduarve, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe moshës së të përfshirëve.