Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me atë që e quan “intensifikim të rasteve të ndalimeve dhe arrestimeve arbitrare” të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë.
Në këto rrethana, MPJD u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, “përfshirë ata që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, që të shmangin kalimin përmes pikëkalimeve kufitare me Serbinë dhe në të njëjtën kohë, inkurajohen të gjithë qytetarët që të përdorin pika të tjera kufitare për kalimin e tyre”.
“Rasti i fundit i ndalimit të ish-punonjësit të Policisë së Kosovës, z. Spahiu në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë është dëshmi e mëtejme e praktikave të papranueshme dhe destruktive të Serbisë, që bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet bazë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha MPJD në reagimin publik.
Ministria në fjalë tha se është duke e ndjekur nga afër situatën dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, “me qëllim të adresimit të këtyre shkeljeve sistematike dhe garantimit të të drejtave dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës”.