Mozzik kishte paraparë mbrëmë një koncert për shqiptarët e Londrës.
E pavarësisht se kishte marrë rrugën deri në Mbretërinë e Bashkuar enkas për këtë performancë, reperi nga Ferizaj nuk është ngjitur fare në skenë.
Në një reagim në rrjete sociale, ai ka kërkuar ndjesë publike, duke theksuar se nuk ka qenë aspak faji i tij.
Mozzik ka sqaruar se eventi ishte organizuar nga @deventsldn dhe jo nga lokali BonBon, ndaj çdo kërkesë për kthim të pagesave duhet drejtuar tek ta.
“Ju kërkoj falje shumë të gjithëve, unë erdha për juve nga Kosova por organizatori ishte me korrektësi 00.00”, ka shkruar ai, duke nënvizuar zhgënjimin për mbarëvajtjen e munguar të koncertit.
Ai ka theksuar se herën tjetër do të rikthehet në Londër, por me një organizator tjetër, duke u bërë thirrje ndjekësve që të mos harrojnë të kërkojnë rimbursimin e biletave tek llogaria që ka përmendur.