Kryetari i PSD’së, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, nga kryeministri, Albin Kurti, transmeton infoline-news.
Në një status të gjatë në Facebook, Molliqaj thotë se Kurti e rrëzoi qeverinë që e udhëheqë me këtë veprim, dhe se ai po kërkon zgjedhje të reja që të fitoj më shumë pushtet.
‘’Dëshira për protagonizëm absolut, po i sjell shkarkimin Albin Kurtit. Atë po e shkarkon sjellja kapriçioze dhe aspak serioze ndaj aleatit kryesor të Kosovës, SHBA-ve, që u premtoi fillimisht heqjen e taksës kurse tash po i refuzon vetëm sepse po dëshiron të jetë udhëheqësi i vetëm i krejt proceseve’’, shkruan ai.
‘’Albin Kurti po rrezikon marrëdhëniet me SHBA-të, po rrezikon marrëveshjen e mundshme përfundimtare që do të zgjidhte problemet tona me Serbinë, po rrezikon të ardhmen e Kosovës… vetëm për protagonizëm. Vetëm që të jetë udhëheqësi i vetëm dhe absolut që pyetet për Kosovën’’
Molliqaj thotë se Kurti e shkarkoi Veliun për të hequr vëmendjen nga marrëdhëniet e tij me SHBA’në.
‘’Tash kur përmes ndërprerjes së investimeve 200 milionëshe nga SHBA, dhe pas kërkesës së fundit zyrtare të ambasadës amerikane për heqjen e taksës, e kuptoi qartë që i ka rrëzuar të gjitha urat e bashkëpunimit me aleatin tonë më të rëndësishëm, po bën taktikë politike se gjoja Agim Veliu na qenka problemi kryesor i qeverisë së tij’’
‘’Asnjë qeveri nuk bie për shkak të një ministri. Sikur që nuk u prish koalicioni VV-LDK për shkak të një kryeparlamentari. Emrat e veçantë asnjëherë s’janë arsyet e rënieve të qeverive.
Emrat e veçantë janë vetëm figura të një loje të madhe. Përveç kur emri i veçantë është Albin Kurti. Për këtë emër, ai prishë gjithçka tjetër. Albin Kurti po e rrëzon veten sepse dëshiron ose PUSHTET ABSOLUT dhe të jetë i VETMI që pyetet për Kosovën, ose asgjë.
Të gjitha ose asgjë. Kjo është mendësia e Kurtit. Prandaj e kam thënë, dhe po e them sërish, ky njeri në pushtet përbën rrezik serioz për Republikën e Kosovës.’’